Saturday, December 15, 2012

Shqiptari që refuzoi drekën me kryeministrin britanik (Video)

Shije apo sasi? Është kjo një nga dilemat më të mëdha të kuzhinierëve të sotëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Por ndërkohë që janë të shumtë ata shefa kuzhine që i tremben një ushqimi të shijshëm, por pa sasi, njerëz të tjerë si shqiptaro-danezi Rene Rexhepi guxojnë, bëhen të famshëm e njerëzit presin në radhë me muaj për të provuar recetat e tij. Pasi zgjodhi të bënte karrierë në fushën e kulinarisë, Rene Rexhepi filloi të punonte me shefa të ndryshëm kuzhine, duke marrë kështu edhe eksperiencat e tij të para me ekspertë të gatimit. Pak nga pak filloi të eksploronte dhe të sillte shije të reja për të gjithë ata që e “dashurojnë” ushqimin. Nuk e morën seriozisht në fillim. Por ai u imponua me qetësi e me profesionalizëm. Sipas tij, shpirti i gatimit formësohet me kalimin e kohës, ai nuk lind nga asgjëja dhe në një moment të vetëm. Është konsideruar si ambasadori i kuzhinës së re nordike, ndërkohë që revista e specializuar britanike “Restaurant Magazine” për të tretin vit radhazi e ka zgjedhur restorantin e Rene Rexhepit në Kopenhagen si më të mirin në botë. Kuzhinieri me origjinë shqiptare, sot kryeson listën e shefave më të mirë të kuzhinës. 35-vjeçari e mban këtë titull për të tretin vit radhazi. Ka bërë revolucion në fushën e gatimit e ka sjellë risi dikur të paimagjinueshme. Ndërkohë që këtë vit, revista ‘Times’ e renditi të 11-in në listën e 100 personave me më shumë influencë në botë. Gjithashtu ai ka pohuar se ka refuzuar një drekë me kryeministrin britanik vetëm për të qëndruar me ekipin e tij. “Po, ishte një çast i veçantë kur udhëton me ekipin. Ishim nëntë vetë në ekip. Ose duhej të drekoja me njerëzit me të cilët punoj çdo ditë, që e kanë krijuar suksesin me mua ose s’do të haja me ata dhe të takohesha me kryeministrin britanik. Zgjedhja ishte e dukshme. S’ishte zgjedhje e vështirë”.